Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futsall ka kaluar në “Main Round” për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Poreçi 2023”, përcjellë “infOSport.mk”.
Pas barazimit 3:3 me Gjermaninë në ndeshjen e parë, “Dardanët” e drejtuar nga Suad Keçi kanë shënuar fitore kundër Maqedonisë së Veriut, me rezultat 6:3, në ndeshjen e zhvilluar sot në Shkup.
Ky duel solli lojë tejet interesante dhe dramatike, sidomos në pjesën e dytë. Në 20 minutat e para ishte ekipi i Maqedonisë së Veriut që u tregua më efikas, duke realizuar dy herë.
Shifrat i zhbllokoi Jusuf Josifovski, në minutën e 9-të, derisa epërsinë në 2:0 e shtoi Igor Skeoarovski, në minutën e 18-të.
Megjithatë, në pjesën e dytë “Dardanët” bënë një paraqitje të shkëlqyeshme, duke përmbysur rezultatin me golat dy gola të Blend Krasniqit (29’ e 31’) dhe nga një gol të Jetnor Kabashit (21’) dhe Ideal Abdullahut (32’).
Të përzgjedhurit e Zoran Lekiq, arritën ta ngushtojnë epërsinë në minutën e 34-të nga penalltia përmes Bojan Janev, mirëpo festën e “Dardanëve e konfirmuan Jetnor Kabashi, me golin e tij të dytë, në minutën e 37-të dhe Blend Bajraktari me golin e minutës së 39-të, duke vendosur rezultatin përfundimtar 6:3.
Kësisoj, përfaqësuesja U19 e Kosovës në futsal prej datës 21 deri më 26 mars do t’i luajë ndeshjet kualifikuese të fazës ‘Main Round’,në kuadër të Grupit 3, aty ku nikoqir do të jetë Portugalia, ndërsa do luajnë edhe Sllovakia dhe Bjellorusia. (infOSport.mk)