Shkëndija dhe Voska ndahen miqësisht (VIDEO)

Shkëndija dhe Voska Sport gjatë ditës së sotme kanë zhvilluar ndeshjen e parë kontrolluese në kuadër të përgatitjeve për stinorin pranveror, njofton “infOSport.mk”. Ndeshja në fjalë u mbyll miqësisht, 2:2, me të gjithë golat që u realizuan në pjesën e dytë.

Minutat e para me fanellën kuqezi i realizuan Maksimov, Milev e Rexhepi që nisën ndeshjen si titullar, derisa në të dytën hyri edhe Mujezinoviç. Në kombinim nuk ishte fare Qaka i dëmtuar dhe Çinari që akoma nuk është stërvitur me grupin, si dhe Zahov që ishte lënë i lirë nga stafi teknik.

Në anën tjetër debutimin me fanellën e Voska Sport gjatë pjesës së parë e bënë portieri Hadis Velii dhe sulmuesi Fiton Ademi, dy ish lojtarë të Shkëndijës, derisa në pjesën e dytë minutat e para i zhvilluan edhe Ermedin Ademi, Ujkan Muça, Oliver Hristov dhe Besart Rexhepi.

Në pjesën e dytë dy trajnerët bënë më shumë zëvendësime, ndërsa Shkëndija dominimin e “përktheu” në epërsi 2:0 me dy realizime të Ferhan Hasanit në harkun kohor prej vetëm dy minutave.

Kapiteni “kuqezi” fillimisht shënoi një super gol nga gjuajtja e lirë, derisa pak sekonda më vonë përfitoi nga gabimi i portierit mysafir dhe solli golin e dytë.

Një pakujdesi në mbrojtjen e Shkëndijës pak më vonë e shfrytëzoi Alen Jasharovski, i cili zbuti epërsinë e “kuqezinjëve” në 2:1, derisa i njëjti futbollistë  në minutën e fundit të takimit nga penaltia vendosi rezultatin final të këtij takimi, Shkëndija 2, Voska Sport 2.

Rezultati gjithsesi ishtë në plan të dytë për dy trajnerët dhe në këtë fazë me rëndësi ishte futbollistët të shohin nivelin momental të tyre. (infOSport.mk)

Leave a Reply