Partizani ka në skuadër një si Xhuliano Skuka, gjithashtu edhe Alfred Mensah. Së fundmi kanë sjellë Fabian Shahajn, por nëse në derë të vjen një lojtar i ekipit të parë të Milanit, vështirë se do ta refuzonte njeri.
“Panorama Sport” mëson se të kuqtë janë në bisedime me kampionët e Italisë për huazimin e Marko Lazetiç. Ai luan si qendërsulmues dhe është vetëm 18 vjeç, teksa deri më tani falë fizikut të tij ka arritur të kalojë etapat dhe të debutojë me skuadrën e Milanit në Serinë A.
Gjithsesi, në shumicën e kohës ai aktivizohet me skuadrën e Primaverës, ku është shfaqur tejet efikas (8 ndeshje, 5 gola) dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që e ka bindur Partizanin të vihet seriozisht në lëvizje për të arritur te sulmuesi, vlera e të cilit në merkato është 3 milionë euro sipas “Transfermarkt”.
Nëse sheh parametrat e lojtarit dhe klubin ku luan, kjo mund të quhet një ëndërr për drejtuesit e Partizanit, por merkatoja ka treguar se di të dhurojë surpriza. Këtë po e tenton klubi kryeqytetas, me Superioren, që ka fituar mjaft kredite në vitet e fundit në Itali dhe mund të konsiderohet një ligë më reklamuese se Seria C, ku Milani huazon kryesisht të rinjtë e vet.
Gjithashtu, fakti që në krye të Partizanit është një trajner italian si Xhovani Kolela, është një arsye që mund ta bindë Milanin t’u besojë të kuqve rritjen e talentit serb. Ndërkohë, lidhja e drejtorit sportiv, Elton Marini, me futbollin italian në punën e tij si agjent futbollistësh, mund të ndihmojë për të bindur lojtarin se mbërritja në Tiranë do të ishte zgjedhja e duhur për të zbarkuar me “pompozitetin” e duhur në arenën e madhe të futbollit, siç bëri Rrahmani apo Ekuban.
Adoleshenti është produkt i Crvena Zvezdës, që e shiti në janarin e shkuar për 4.5 milionë euro te kuqezinjtë. Ai ka kontratë deri në 2026-ën. Ardhja e Lazetiç, do t’i hapte rrugën largimit të mundshëm të Xhuliano Skukës.