Shkëndija nën urdhërat e trajnerit Qatip Osmani po vijon përgatitjet dimërore me intensitet të shtuar, me “kuqezinjtë” që po kryejnë nga dy seanca stërvitore në ditë, ndërsa bashkë me 4 përforcimet e deritashme Maksimov, Qaka, Mujezinoviç dhe Milev, me skuadrën nga fillimi ka nisur të stërvitet edhe Almir Rexhepi.
Mbrojtësi i majtë 21 vjeçar kthehet në ekipin e parë të Shkëndijës, pas kalitjes në ekipe të kategorisë së dytë.
Almir Rexhepi i rritur në kategoritë e reja të Shkëndijës, në janar të vitit 2020 firmosi kontratën e parë profesionale me “kuqezinjtë” nga Tetova dhe më pas u dërgua në huazim fillimisht te Vëllazërimi i Kërçovës, pastaj edhe te Gostivari dhe Besa e Dobërdollit në Ligën e Dytë.
Paraqitjet e tij gjithë kohën ishin nën mbikqyrje të stafit teknik të Shkëndijës dhe performansat e treguara kanë bindur që ai të kthehet në ekip me vazhdim të bashkëpunimit deri në vitin 2025.
Përveç krahut të majtë të mbrojtjes, Rexhepi luan edhe si mbrojës qendre apo me nevojë edhe si mesfushor defanziv.
Rasti i Almir Rexhepit është shembull e motiv për gjithë lojtarët e ri dhe tregues se Shkëndija llogarit, si dhe ndjek paraqitjet e tyre në drejtim të vlerësimit kur arrijnë përgatitjen e nevojshme për tu kthyer në ekipin e parë kuqezi.