Boban Babunski merr timonin e Pelisterit!

Boban Babunski është emëruar trajner i ri i Pelisterit, pasi drejtuesit e kësaj skuadre vendosën që me pëlqim të dyanshëm të ndërpresin bashkëpunimin me trajnerin e deritanishëm, Marjan Sekullovski, njofton “infOSport.mk”.

Babunski me skuadrën nga Manastiri ka nënshkruar kontratë në afat prej 6 muajsh, me opcion për ta vazhduar edhe për një vit tjetër, në rast se Pelisteri do të siguronte një vend për në Ligën e Parë.

54-vjeçari Babunski është një emër i njohur për futbollin tonë vendor, pasi përveç që mbronte ngjyrat e përfaqësueses së Maqedonisë, ai gjithashtu kishte drejtuar ekipin shpresa të vendit tonë, ndërsa gjatë karrierës së tij kishte udhëhequr skuadrat kampione, si Vardarin, Rabotniçkin dhe së fundmi, Pobedën.

Prezantimi i tij nga ana e drejtuesve të Pelisterit do të bëhet me datë 9 janar, kur edhe zyrtarisht ekipi nga Manastiri do të startojë me fazën e përgatitjeve për stinorin pranveror në Ligën e Dytë.

Kujtojmë, Pelisteri pjesën e parë të sezonit 2022/23 e mbylli në pozitën e katërt me 30 pikë, 7 pikë mbrapa liderit Gostivarit. (infOSport.mk)

Leave a Reply