Drejtuesit e Voska Sport me në krye Drejtorin Sportiv, Artan Borova, vijojnë të jenë shumë aktiv në tregun e transferimeve, krejt kjo që trajnerit Berat Imeri t’ia kompletojnë ekipin që para nisjes së përgatitjeve dimërore.
Skuadra shqiptare nga Ohri deri më tani ka angazhuar plotë 5 emra të rinj, në mesin e të cilëve edhe futbollistë me bagazh të pasur nga Liga e Parë, siç janë, portieri shumë vjeçar i Renovës, Hadis Velii, si dhe mesfushori i Makedonija GJ.P dhe dikur FC Shkupit, Ermedin Adem, shtuar këtu edhe emra me shumë perspektivë, pra futbollistë të rinj, të etur për të treguar vlerat e tyre, si mesfushori difenziv i Struga Trim Lum, Arion Ziba, si dhe dy sulmuesit e talentuar, që në të kaluarën ishin edhe pjesë e shkollës së Shkëndijës së Tetovës, Fiton Ademi dhe Ujkan Muça.
Ndërkohë siç mëson “infOSport.mk”, Voska Sport së fundmi ka bërë për vete edhe qendërmbrojtësin, njëherit kapitenin e Detonit Plaçkovica, Oliver Hristov, i cili edicionin e kaluar doli kampion me Pobedën në Ligën e Dytë.
Bëhet fjalë për një futbollistë mjaft korpulent, 26-vjeçar, i cili në të kaluarën ka luajtur edhe me Bregallnicën e Shtipit, Sasën nga Kamenica si dhe ekipin e Pehçevës.
Me Hristov, drejtuesit e Voska Sport siç thonë burime të afërta me “infOSport.mk”, kanë arritur marrëveshje dhe se i njëjti pritet të vë të zezën mbi të bardhë gjatë ditës së nesërme. (infOSport.mk)