Ferizaji po tregohet mjaft aktiv në këtë fillim merkatoje në futbollin kosovar, kjo edhe për faktin se një ndër skuadrat më të njohura nga vendi ynë fqinjë, stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e fundit në Superligë.
Drejtuesit e kësaj skuadre përforcimin e skuadrës e nisën nga mbrojtja, duke firmosur me qendërmbrojtësin Jasmin Mecinoviq si dhe mbrojtësin e krahut të majtë Çlirim Avduli, derisa gjatë ditës së djeshme ata prezantuan ndoshta edhe përforcimin më të bujshëm, mesfushorin me tipare sulmuese, Besar Isenin.
Pra ajo që vërejmë është se dy nga tre përforcimet e para të Ferizajit në prag të stinorit pranveror vijnë nga Maqedonia, ndërsa informacione të besueshme të “infOSport.mk”, bëjnë me dije se drejtuesit e kësaj skuadre janë pranë finalizimit të marrëveshjes edhe me ish portierin e Shkëndijës, Marko Jovanovski.
Ky i fundit tashmë disa ditë kishte njoftuar për largimin e tij nga rradhët e Akademia Pandev, aty ku qëndroi për një vit të plotë.
Ndryshe, Jovanovski përveç karrierës në futbollin vendor, me skuadrat si Rabotniçki, Vardar, Teteks, Shkëndija, Pelister, Makedonija GJ.P dhe Gostivar, ka luajtur edhe jashtë Maqedonisë, duke mbrojtur portën e skuadrës qipriote të Etnikos dhe asaj rumune të Sepsi.
Jovanovski në elitën e futbollit të Maqedonisë, numëron gati 300 ndeshje, shumicën prej tyre me Shkëndijën (130), te e cila skuadër kishte kaluar edhe momentet më të bukura të karrierës, duke qëndruar plotë 4 vite.
Eksperienca e tij e madhe, do të ishte e mirëseardhur për Ferizajin, skuadër kjo që ka nevojë edhe për një gardian të sigurtë, që do shtontë vetëbesimin e skuadrës që në pranverë të luftonte më shumë për fitore, që do mjaftonin për t’ia siguruar mbijetesën. (infOSport.mk)