Valmir Nafiu mund të jetë futbollisti i tretë pas Sabit Bilalit dhe Mexhit Nezirit që do braktis Shkëndijën gjatë afatit kalimtarë të dimrit në futbollin tonë vendor. Edhe pse i njëjti ka kontratë deri verën e vitit 2028 me ekipin “kuqezi” nga Tetova, informacionetë afërta me “infOSport.mk” bëjnë me dije se 28-vjeçari mund të largohet para kohe nga Shkëndija, me të cilën skuadër ka arritur sukseset më të mëdha në karrierë, duke u shpallur 3 herë kampion i Maqedonisë.
Kur jemi tek titujt, vlen të theksohet se Nafiu kampion ishte shpallur edhe me Skënderbeun në Shqipëri dhe me APOE Nikozia në Qipro, me të cilën skuadër gjithashtu kishte fituar edhe Kupën.
Kujtojmë Nafiu llogaritet si një ndër talentët më të mëdhenj që kanë dalë nga shkolla e Shkëndijës, pasi i njëjti po sa kishte mbushur të 18-tat ishte transferuar te skuadra shumë herë kampione e Zvicrës, Bazel, që më pas të vijoj karrierën në Gjermani te skuadra e Hamburgut, ndërsa gjithashtu jashtë vendit kishte luajtur edhe në Qipro me APOEL Nikozia dhe në Shqipëri me Skënderbeun.
Në kampionatin tonë vendor, përveç me Shkëndijën, i njëjti ka veshur edhe fanellën e Renovës, ndërsa mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i tij i rradhës, do mbetet te Shkëndija apo në përgjithësi në kampionatin tonë vendor, apo ndoshta sërish do të luaj jashtë kufijve tanë. (infOSport.mk)