Mexhit Neziri i cili ditën e fundit të vitit që lamë pas (2022) u prezantua te Struga Trim Lum, gjatë ditës së sotme i njëjti ka dhënë edhe deklaratën e tij të parë si pjesë e kësaj skuadre, që stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e parë, shkruan “infOSport.mk”.
Pikërisht kjo ka bërë që Neziri në intervistën e tij të parë si pjesë e skuadrës strugane të pranojë se te Struga Trim Lum ka ardhur me ambicie të njëjta, siç zakonisht i kishte te Shkëndija, kjo pasi këtë vit edhe skuadra e tij e re shihet si një ndër pretendentët kryesor për titullin e kampionit.
“Kam ndërruar skuadër, por jo edhe ambiciet. Siç e dimë tashmë të gjithë, edhe Struga Trim Lum është një ndër pretendentët kryesor për tu shpallur kampion në elitën e futbollit vendor” – është shprehur Neziri, i cili ka folur edhe për korrektësinë e drejtuesve të Struga Trim Lum lidhur me ofertën e tyre.
“Duke parë ecurinë e fundit të ekipit të Struga Trim Lum, le pershtypje se bëhet fjalë për një skuadër mjaft mirë të organizuar. Jam i kënaqur me kushtet dhe menyrën se si kanë ecur bisedimet. Mund të them se kanë qenë shumë korrekt me mua drejtuesit e Struga Trim Lum, kur është në pyetje oferta dhe kushtet, ashtu që pa shumë hamëndje, pranova që të jem pjesë e familjes së tyre” – tha Mexhit Neziri, i cili njëherit është edhe përforcimi i parë në këtë afat kalimtarë të janarit te skuadra kampione e vjeshtës në Ligën e Parë. (infOSport.mk)