Besar Iseni vazhdon karrierën në Kosovë!

Besar Iseni, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Egnatias në elitën e futbollit të Shqipërisë, karrierën e tij shumë lehtë mund të ndodhë që ta vazhdojë në elitën e futbollit kosovar, njofton “infOSport.mk”.

Iseni aktualisht është një futbollistë i lirë, ndërsa burimet tona bëjnë me dije se drejtuesit e Ferizajit e pëlqejnë shumë këtë futbollistë, me të cilin shpresojnë që në fund t’ia arrijnë qëllimit, mbetjen në elitën e futbollit kosovar.

Iseni është një emër i njohur në futbollin vendor, pasi i njëjti kishte luajtur me Vardarin dhe FC Shkupin, nga e cila skuadër verën e vitit 2021 ishte transferuar në Shqipëri, te Egnatia. Me këtë skuadër, ai zhvilloi gjithsej 27 ndeshje, përfshirë këtu edhe 5 në kuadër të Kupës, derisa në Ligën e Parë futbollistike të Maqedonisë, Iseni numëron gati 150 ndeshje.

Pikërisht eksperienca e tij e madhe, por edhe cilësitë që posedon ky futbollistë, mund të japin frytin e duhur te Ferizaji, që stinorin vjeshtorë në Superligën e Kosovës, e mbylli në pozitën e fundit me vetëm 13 pikë, 7 larg pozitës që siguron mbijetesën në mesin e më të mirëve. (infOSport.mk)

Leave a Reply