UEFA e ka konfirmuar se ndeshja e parë e Bjellorusisë kundër Zvicrës së Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024 do të zhvillohet në Novi Sad të Serbisë.
Ky është vendimi i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), pasi Bjellorusia është nën sanksione për shkak të mbështetjes së Rusisë në luftën me Ukrainën dhe nuk mund të luajë ndeshjet e saj në shtëpi.
Kujtojmë Bjellorusia bënë pjesë në grupin “I”, aty ku përveç Zvicrës, do të luaj edhe Kosova, por edhe Izraeli, Andora dhe Rumania, një tjetër shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë në lidhje me ndeshjen Bjellorusi – Zvicër që do të luhet në Novi Sad, gazeta e madhe kroate “Jutarnji.hr” ka shkruar se “a do të luajë në Serbi edhe Kosova”, pasi që është në të njëjtin grup me Bjellorusinë.
“A është e mundur? Zvicra ndeshjen e radhës do ta luajë në Serbi! – Në rregull, Bjellorusia nuk mund të luajë në shtëpi. A do të luajnë edhe në Serbi me Kosovën që është në të njëjtin grup?” – ka shkruar gazeta kroate.
Bjellorusia dhe Kosova do të ballafaqohen më 19 qershor nga ora 20:45, sipas orarit të publikuar në uebfaqen e UEFA-s, mirëpo ende nuk është zbuluar vendi se ku do të zhvillohet kjo ndeshje.