Sulmuesit të Borusia Dortmund, Sebastian Haller, i është hequr tumori në operacionin e fundit dhe do të rikthehet në stërvitje në janar.
Haller u transferua nga Ajaksi te Borusia para fillimit të sezonit për 35 milionë euro, por në korrik u diagnostikua me tumor në testikuj dhe për pasojë nuk luajti asnjë ndeshje për skuadrën nga Dortmundi.
Menjëherë pasi mësoi lajmin e keq, 28 vjeçari u shtrua në spital dhe iu nënshtrua një operacioni. Dy javë më parë është kryer një tjetër operacion, pas të cilit Haller është njoftuar se së shpejti do të mund të nisë stërvitjen.
Siç raporton e përditshmja gjermane “Bild”, Haller fillimisht do të bëjë stërvitje fitnesi dhe gradualisht mund të përfshihet në punën me topin.
Drejtuesit e Borusia Dortmundit nuk do të nxitojnë për rikthimin e Hallerit në fushë dhe ai do të luajë vetëm kur të jetë plotësisht gati.