Voska Sport ka hedhur bombën e parë në merkaton e Ligës së Dytë, teksa sot ka arritur marrëveshje me kapitenin e Makedonija Gj.P., Ermedin Adem, njofton “infOSport.mk”.
Është ky një super përforcim për mesfushën e skuadrës shqiptare nga Ohri, që pjesën e parë të sezonit në Ligën e Dytë e mbylli në pozitën e tretë, me vetëm 3 pikë më pak se lideri, Gostivari.
Kështu Voska Sport gjatë stinorit pranveror do të tentojë sërish dy pozitat e para, që sigurojnë një vend në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, ndërsa një gjë të tillë dëshiron ta bëjë duke angazhuar futbollistë cilësorë, që kanë lënë gjurmë në kampionatin tonë vendor.
Eksperienca e Adem pa dyshim se do të jetë një ndihmesë e madhe për Voska Sport, që si duket nuk do të kursejë asgjë gjatë kësaj merkatoje, për të arritur qëllimin. Adem gjatë stinorit vjeshtorë me Makedonija GJ.P zhvilloi gjithsej 14 ndeshje, 2 prej të cilëve në kuadër të Ligës së Konferencës, pasi edicionin e kaluar i njëjti ngriti lartë trofeun e Kupës së Maqedonisë.
Pikërisht me Makedonija GJ.P, Ermedin Adem ka zhvilluar më së shumti ndeshje në Ligën e Parë, aty ku numëron rreth 250 ndeshje dhe 33 gola të shënuar.
Kujtojmë, Adem më parë gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe me FC Shkupin, Milanon e Kumanovës, Napredokun, Teteksin dhe Renovën.