Simon Simoni ka realizuar ëndërrën e tij, teksa portieri 18-vjeçar i Dinamo Tiranës, nga viti 2023 do të mbrojë ngjyrat e skuadrës së njohur nga Bundesliha gjermane, Ajntraht Frankfurtit, përcjellë “infOSport.mk”.
Fituesit e Liga Europa, do të paguajnë 600 mijë euro për kartonin e portierit shqiptarë, ndërkohë që do të ketë dhe një shumë prej 400 mijë eurosh të tjera bonus në bazë të paraqitjeve të 18-vjeçarit Simoni.
60% e vlerës do të shkojë në arkat e klubit të Dinamos dhe 40% në Akademinë e Futbollit Shënkolli si klubi ku është formuar Simoni.
Ky është ndër transferimet më të shtrenjta nga kampionati shqiptar dhe i pari kalim drejt një prej ekipeve që luan mes 16 më të mirave të Ligës së Kampionëve.
18-vjeçari Simoni me Ajntrahtin e Frankfurtit, do të nënshkruajë kontratë për 4 vite e gjysme.
Simoni konsiderohet si një prej talenteve të së ardhmes dhe do të jetë zëvendësuesi i portierit të Kombëtares së Gjermanisë, Kevin Trapp. Simoni shihet si një investim për të ardhmen dhe konsiderohet si pasuesi i gardianit gjerman në harkun kohor të disa muajve.
Simoni ka kaluar me sukses testet mjekësore dhe gjithçka është mbyllur, teksa prezantimi zyrtar do të bëhet me datën 1 janar, ndërsa vetëm një ditë më pas, gardiani shqiptarë do të udhëtojë drejt Dubait, ku do të bashkohet me ekipin e ri në fazën përgatitore.
Vërtetë realizim i një ëndërre të bukur kjo për këtë super talent, i cili deri dje stërvitej dhe mbronte portën e Dinamo Tiranës, ndërsa tash do jetë pjesë e një ndër ligave më të forta europiane, ligës elitare të Gjermanisë, ndryshe e njohur edhe si Bundesligë.