Struga Trim Lum stinorin vjeshtor e mbylli me barazim 1:1 në transfertën në Shkup kundër Skopjes, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Zaharievskit ishte favorit absolute në këtë takim, mirëpo gjërat nuk shkuan ashtu si duhen në terrenin e gjelbër, i cili realisht nuk ofronte kushte për një futboll të mirë, ashtu siç jemi mësuar ta shohim Struga Trim Lumin gjatë këtij sezoni.
Dy raste për kampionët e vjeshtës gjatë pjesës së parë ishin shumë pak që ata të shënonin gol, të cilin e gjetën vetëm në minutën e 57-të pas një aksioni mirë të ndërtuar.
Bunjamin Shabani mjaft mirë pasoi një top brenda zonës për Ibraimin, i cili ishte i kthyer me shpinë nga porta vendase, ashtu që vendosi ti servojë një top si në pjatë Hristijan Maleskit, që me të djathtën e tij realizoi golin e 6-të sezonal.
Vendasit u kundërpërgjigjën në minutën e 69-të, kur përfituan një penalti, të cilën në gol e shndërroi Leonid Ignjatov.
Ky i fundit goditi në mënyrë shumë precise, duke dërguar topin në këndin e majtë të portierit Qoshevski, për të cilin ishte kjo ndeshja e parë, që nga ajo e 16 tetorit kundër FC Shkupit në stadiumin e Çairit.
Edhe përkundër këtij barazimi, Struga Trim Lum stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e parë me 37 pikë, 3 më shumë se FC Shkupi i vendit të dytë, duke shkruar në këtë mënyrë histori që nga themelimi në vitin 2015. (infOSport.mk)