Struga e mbyll me barazim, Shkupi nuk i ndahet, pranverë e nxehtë për titull na pret në vitin 2023

Me ndeshjet e javës së 18-të edhe zyrtarisht sot ka mbyllur siparin stinori vjeshtorë në Ligën e Parë të Maqedonisë, aty ku dominojnë tre skuadrat shqiptare, Struga Trim Lum, FC Shkupi dhe Shkëndija, njofton “infOSport.mk”.

Struga Trim Lum edhe përkundër barazimit në transfertën në Shkup përballë Skopjes, e mbylli pjesën e parë të sezonit 2022-2023 në pozitën e parë, duke shkruar histori.

Ekipi strugan ishte favorit absolut përballë Skopjes, mirëpo në fund të dyja skuadrat shënuan nga një gol, duke ndarë pikët.

Për dallim nga Struga Trim Lum, skuadra kampione në fuqi e FC Shkupit, në ndeshjen lokale, mundi Rabotniçkin me rezultat 4:2. Trapanovski dhe Adetunxhi ishin në element te skuadra nga Çairi, derisa te “romantikët” u dallua Metodi Maksimov, që realizoi të dy golat.

Makedonija GJ.P e Muharem Bajramit mes shumë peripetive dhe rezultateve jo edhe aq pozitive, stinorin vjeshtorë e mbylli me një fitore shumë të rëndësishme në transfertën në Kratovë kundër Sileksit.

Skuadra shkupjane shënoi fitore 3:1, ndërsa figurë kryesore doli të jetë kapiteni, Filip Mishevski, që realizoi të tre golat.

Një fitore tjetër të madhe si mysafir realizoi edhe Tikveshi, që mundi 2:0 Akademia Pandevin, ndërkohë Bregallnica edhe përkundër avantazhit prej dy golave që kishte gjatë pjesës së parë përballë Pobedës, në fund duheshe të kënaqet me vetëm një pikë dhe një gjysëmsezon shumë zhgënjyes, pavarësisht ambicieve të tyre të larta para fillimit të kampionatit.

Këtë xhiro, e lirë ishte skuadra e Shkëndijës, që pjesën e parë të sezonit 2022-2023 e mbylli në pozitën e tretë. (infOSport.mk)

LPFMV – Java 18

Skopje 1:1 Struga Trim Lum
Rabotniçki 2:4 FC Shkupi
Sileksi 1:3 Makedonija Gj.P
Bregallnica 2:2 Pobeda
Ak.Pandev 0:2 Tikveshi
Shkëndija e lirë    

Leave a Reply