FC Shkupi, skuadër kjo që për shkak incidentit të ndodhur në ndeshjen çerekfinale kundër Shkëndijës, ndeshjet si nikoqir i zhvillon në Kërçovë, të dielën në kuadër të javës së 17-të mundi Bregallnicën me shifrat 3:1, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja nuk nisi mirë për skuadrën e trajnerit Goce Sedlloski, pasi ishte Bregallnica që avansoi me golin e Sebastain Herera në minutën e 24-të.
Nuk vonoi shumë dhe 10 minuta më pas, Fredy Alvarez iu kundërpërgjigjë kolumbianit me një super gol nga distanca. Ishte ky një ndër golat më të bukur të kësaj jave, që Alvarez din të na i dhurojë shumë në Ligën e Parë.
Ndryshe ishte ky goli i 5-të sezonal për kostarikanin, me të cilin gol u mbyll pjesa e parë, ndërsa pjesa e dytë e tëra foli për skuadrën e FC Shkupit, që realizoi edhe dy gola të tjerë.
Kristijan Trapanovski në minutën e 52-të shënoi një gol të bukur nga distanca, duke kaluar për herë të parë në këtë ndeshje skuadrën e tij në avantazh, derisa rezultatin përfundimtarë, FC Shkupi 3, Bregallnica 1, e vendosi Pepi Georgiev me golin e realizuar në minutën e 83-të.
Ishte kjo fitorja e 9-të sezonale për FC Shkupin, që vazhdon të mbajë pozitën e dytë në renditje me 31 pikë, 5 më pak se skuadra kryesuese e Struga Trim Lum.
Ndeshjen e rradhës dhe të fundit për stinorin vjeshtorë, FC Shkupi do ta zhvillojë kundër Rabotniçkit si mysafir. (infOSport.mk)