Kombëtarja e Anglisë ka kaluar me sukses fazën e 1/8 së finales në kuadër të Botërorit “Qatar 2022”, pasi mundi Senegalin me rezultatin 3:0, njofton “infOSport.mk”. Në këtë mënyrë u formua edhe një super çift çerekfinal, Angli-Francë, ndeshje kjo që në program është të shtunën.
Përballja tjetër e sigurtë çerekfinale është ajo midis Holandës dhe Argjentinës.
Skuadra e Garet Sautgejt nuk e nisi bindshëm ndeshjen, duke u lejuar afrikanëve që të bëjnë një ndeshje të fortë gjatë 30 minutave të para, për të marrë më pas gjithçka në kontroll dhe duke shënuar dy herë në çerekun e fundit të pjesës së parë.
Ishte Xhordan Henderson, ai i cili në minutën e 39-të hapi serinë e golave, derisa Hari Kejn në minutën e 45-të shënoi për 2:0.
Në minutën e 57-të Bukajo Saka shënoi edhe golin e tretë për “Albionin Krenar”, duke i dhënë goditjen e fundit kundërshtarit.
Me dy asistime në këtë ndeshje u dallua Fil Fouden, ndërsa një paraqitje mjaft të fuqishme bëri edhe Bellingam, i cili ishte ideatori i dy golave të parë.
Për Hari Kejn ishte ky goli i parë në kuadër të Botërorit “Qatar 2022”.
Kujtojmë në ndeshjen e parë të ditës së diel, Franca me rezultatin 3:1 eliminoi Poloninë. Mbappe shënoi dy gola në këtë ndeshje për “gjelat”, një tjetër shënoi Zhiru, derisa në minutën e 9-të shtesë për Poloninë golin e nderit e realizoi Robert Levandovski, edhe atë vetëm pas tentativës së dytë. (infOSport.mk)