Klubi hendbollit në konkurrencë të femrave, Çair, duket gati për ndeshjen ndaj skuadrës izraelite të Makabi Arazim Ramat-gan, e vlefshme për xhiron e tretë në kuadër të EHF Kupës, njofton “infOSport.mk”.
Përballja e parë ndërmjet këtyre dy ekipeve do të zhvillohet nesër në Shkup, ndërsa nga tabori i KHF Çairit janë shprehur optimist për ndeshjen, duke besuar se do të dalin me fitore nga kjo sfidë e vështirë.
“Një xhiro e vështirë për ne, jo për atë që nuk kemi përvojë, pasi ky është viti i tretë për ne që luajmë në garat europiane. Këtë vit kemi arritur më tepër rezultat dhe shpresojmë ta kalojmë edhe këtë xhiro që të jemi edhe ekipi i parë pas Kometal Gjorçe Petrovit të famshëm që plasohet në 1/8 e finales. Ekipi i Makabit është një skuadër e përbërë me shumë hendbollistë me përvojë dhe është kampion i Izraelit, por ne shpresojmë se do të ia dalim” – u shpreh trajneri i KHF – Çair, Basri Latifi.
Ndërkohë në prag të këtij takimi nga tabori i KHF Çair ka folur edhe kapitenja Leonora Rrahmani, e cila shansin e ekipit të saj e sheh te shfaqja e një loje më të shpejtë se kundërshtari, që në rradhët e veta ka hendbolliste më të moshuara dhe aprovojnë një lojë më të ngadalshme.
“Jemi të motivuar, por fakti që na tremb është se ekipi kundërshtarë ka hendbolliste më të moshuara dhe kanë përvojë më shumë se ne në kësi lloj ndeshjesh europiane. Por favori jonë është se ekipi tjetër bën një lojë më të ngadaltë dhe ne duhet ta shfrytëzojmë atë në shpejtësi me lojë më të shpejtë. Sigurisht do të jetë ndeshje e vështirë, por jemi angazhuar maksimalisht për këtë kundërshtarë javëve të fundit, kemi dhënë maksimumin në stërvitje dhe besoj që do të reflektojë edhe në terren” – deklaroi kapitenja e KHF Çair, Leonora Rrahmani.
Ndeshja ndërmjet KHF Çair dhe Makabi Arazim Ramat-gan, luhet nesër në palestrën e “Metalurgut” në lagjen e Autokomandës me fillim në ora 18:00, ndërkohë ndeshja e kthimit aty edhe ku do të vendoset udhëtuesi për në raundin e radhës do të zhvillohet pas një jave në Tel Aviv të Izraelit. (infOSport.mk)