Argjentina vazhdon të ëndërrojë titullin e parë botëror që nga viti 1986, pasi “gauçosët” sonte me sukses kaluan pengesën e quajtur Australi, duke u kualifkuar në çerekfinale të Kupës së Botës, “Qatar 2022”.
Argjentina e Messit shënoi fitore 2:1 ndaj “kengurëve”, të cilët fare në fund me anë të Garang Kuol patën mundësinë e artë për të dërguar ndeshjen drejt vazhdimeve, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Skalonit luajti sërish një ndeshje mjaft praktike, pa shumë shkëlqim, por arriti një fitore falë një tjetër goli të Lionel Messit (35′) dhe golit të Hulián Alvarez (57′), që erdhi pas një gabimi të portierit australian.
Kjo ndeshje më tepër do të mbahet mend për disa arritje që ka shënuar ylli i madh i Argjentinës. Për Lionel Messin ndeshja ndaj Australisë ishte ndeshja e 1000-të në karrierë, të cilën e kurorëzoi me golin e tij të 789-të në përgjithësi.
Ndryshe ishte ky goli i parë i Messit me Argjentinën në ndeshjet e fazës së eliminimit në kuadër të Kupave të Botës, ndërsa gjithashtu arriti të tejkalojë edhe legjendën Armando Maradona, kur janë në pyetje golat e shënuar nëpër evente të këilla botërore.
Australia golin e vetëm në këtë përballje e realizoi në minutën e 77-të, kur Kreg Gudvin ngushtoi epërsinë e Argjentinës me shumë fat.
Argjentina në çerekfinale të Kupës së Botës, “Qatar 2022” do të përballet me Holandë, që më herët gjatë ditës së sotme eliminoi SHBA-të, duke i mundur me rezultatin 3:1. (infOSport.mk)