Japonia mundi edhe skuadrën e dytë favorite në grupin “E” të Kupës së Botës, “Qatar 2022”. Pasi mundën Gjermaninë 2:1 me përmbysje, të njëjtën gjë në të njëjtën mënyrë bënë edhe ndaj Spanjës, duke arritur rezultatin e njëjtë, shkruan “infOSport.mk”.
Ekipi i Luis Enrikes, avansoi me golin e Alvaro Moratas që në minutën e 11-të dhe dukej sikur e dominonte ndeshjen.
Megjithatë një Japoni krejtësisht të transformuar pamë në pjesën e dytë, kur brenda vetëm 3 minutave arritën që të rikthejnë rezultatin në favorin e tyre, falë golave të shënuar nga Ricu Doan (48’) dhe Ao Tanaka (51’).
Goli i dytë la shumë pikëpyetje, pasi fillimisht topi kishte kaluar vijën fundore, para se të njëjtën ta godiste Kaoru Mitoma, pas asistit të të cilit, Tanaka shënoi golin e dytë për Japoninë.
Edhe pas rishikimit të VAR-it, ky gol u pranua, që në fund u tregua si vendimtarë në fitoren e madhe të Japonisë.
Me këtë fitore “samurajët” dolën fitues të grupit me 6 pikë, derisa Spanja me 4 pikë u ndal në pozitën e dytë, duke siguruar edhe ajo një vend për në ndeshjet e 1/8 së finales, derisa jashtë “Qatar 2022” mbeti 4-herë kampionja e Botës, Gjermania. (infOSport.mk)