FC Shkupi ka gëzuar tej mase tifozët e saj, “Shvercerat”, duke i rikujtuar ata për një moment te gjenerata e artë e Argjend Beqirit, Nexhmedin Memedit, Refik Arifit, Zoran Miserdovskit, Nebi Mustafit, Zekirja Ramadanit, Jane Nikollovskit, Ollxhaj Bajramit, etj.
Skuadra e Goce Sedlloskit sot në Prilep përsëriti rezultatin e para 22 viteve të gjeneratës së lartëpërmendur (6:0), kur skuadra nga Çairi kishte demoluar Pobedën e Zabrçanec në kuadër të finales së madhe të Kupës.
Për dallim nga atëherë kur në listën e golashënuesve figuronin emra kryesisht nga futbolli vendor, Argjend Beqiri (3 gola), Zoran Miserdovski, Nebi Mustafi, Bruno Presilski, në takimin e sotëm nderin e futbollistëve vendor e ruajti vetë Kristijan Trapanovski, që ishte një ndër autorët e golave, ndërsa golat tjerë mbajnë firmën e algjerianit Valid Hamidi (2 gola), kostarikanit Fredy Alvarez, brazilianit Inasio Kueven dhe xhamajkanit Renaldo Cefas.
Me këtë fitore të thellë FC Shkupi sërish iu afrua në 5 pikë liderit aktual, Struga Trim Lum, që gjatë ditës së djeshme mundi Sileksin në Kratovë me rezultatin 2:1.
Skuadra strugane pas 16 xhirove numëron 33 pikë, derisa FC Shkupi 28. (infOSport.mk)