Liria e Xhengis Rexhepit eliminoi Dritën e Ardian Nuhiut në Kupën e Kosovës (VIDEO)

Dita e sotme në futbollin kosovar na servoi ndeshjen e 1/16 së finales midis Dritës së Gjilanit dhe Lirisë së Prizrenit. Kjo ndeshje pa dyshim se zgjoi interesim edhe në opinionin tonë sportiv, pasi këto dy skuadra të njohura kosovare, aktualisht udhëhiqen nga strategë shqiptarë nga Maqedonia.

Drita e Gjilanit tashmë një kohë më të gjatë me mjaft sukses udhëhiqet nga shkupjani, Ardian Nuhiu, ndërsa strategu tetovar, Xhengis Rexhepi po kalon sezonin e tij të parë me Lirinë e Prizrenit, që aktualisht është pjesë e Ligës së Parë në Kosovë.

Megjithatë, pavarësisht këtij fakti, në duelin e sotëm ishte pikërisht Liria që shënoi fitore 2:1, duke eliminuar Dritën e Nuhiut që në fazën e hershme të Kupës së Kosovës.

Fitoren e Lirisë së Prizrenit e paralajmëroi mesfushori me tipare sulmuese nga Namibia, Prins Menelik Tjiueza, i cili shënoi vetëm pas 3 minutave lojë. Drita u rikthye në çerekun e fundit të pjesës së parë, kur falë golit të shënuar nga sulmuesi maqedonas, Marko Simonovski barazoi shifrat në 1:1.

Ky rezultat ishte valid deri pak para fundit të takimit, kur te skuadra mike në skenë doli Ardit Topallaj, i cili me kokë në minutën e 89-të të ndeshjes shënoi golin e fitores për Lirinë e Prizrenit, qytet ky që duhet të mburret, pasi edhe pse nuk ka asnjë skuadër në mesin e më të mirëve në futbollin kosovar, në ndeshjet e 1/8 së finales së Kupës, do të prezantohet me 3 skuadra.

Përveç Lirisë së Xhengis Rexhepit, në raundin e dytë të kësaj gare, janë kualifikuar edhe FC A&N dhe Prizreni.

FC A&N garon në Ligën e Parë, njëjtë sikurse edhe Liria, derisa FC Prizreni, befasia e madhe e këtij edicioni të Kupës së Kosovës garon në Ligën e Dytë.

FC A&N javën e kaluar mposhti Rahovecin me rezultat 2:1, ndërkohë FC Prizreni eliminoi Istogun me rezultat 2:0 pas vazhdime, pasi koha e rregullt ishte mbyllur pa gola, 0:0.

Padyshim një sukses i madh i skuadrave të këtij qyteti, duke arritur në mesin e 16 ekipeve që do të luftojnë për trofeun e Kupës së Kosovës, edicioni 2022/23. (infOSport.mk)

Leave a Reply