Futbollisti shqiptar që përfaqëson Zvicrën në Botërorin e Katarit, Granit Xhaka, ka folur para ndeshjes hapëse të “hevetëve” ndaj Kamerunit, ndeshje kjo që në program është nesër me fillim në ora 11:00, njofton “infOSport.mk”.
Ndër të tjera, futbollisti me origjinë nga Kosova u pyet edhe për ndeshjen që Zvicra do ta zhvillojë ndaj Serbisë më 2 dhjetor.
“Bëhet fjalë për futbollin, duhet të kujdesemi për veten. Të dyja përfaqësueset duam fitore. Kjo është më e rëndësishmja. Ne jemi këtu për të luajtur futboll, kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Xhaka në konferencën për media të mërkurën.
Kujtojmë se në Botërorin e vitit 2018, Xhaka bëri shqiponjën në ndeshjen ndaj Serbisë, pasi realizoi gol spektakolar, derisa të njëjtën gjë bëri edhe shoku tjetër i skuadrës, Xherdan Shaqiri, me të cilin gol Zvicra kishte eliminuar Serbinë e Krstajiq atë kohë.