Arabia Saudite ka njoftuar se e mërkura do të shpallet ditë feste, pasi kombëtarja e tyre në futboll mundi Argjentinën e Lionel Messit, duke regjistuar kështu një ndër fitoret më të mëdha në historikun e Kampionateve Botërore.
“Skifterat e Gjelbër” në ndeshjen e parë të ditës së sotme hodhën “bombën” e parë në kuadër të Botërorit që po mbahet në Katar, pasi me përmbysje arritën që të mundin Argjentinën e madhe, një ndër kombëtaret favorite për të triumfuar në këtë Botëror.
Pikërisht fitorja e sotme 2:1 ndaj Argjentinës është arsyeja që dita e nesërme është shpallur festë për të gjithë punëtorët e sektorit publik dhe privat, si dhe për të gjithë studentët dhe nxënësit.
Këtë e ka bërë të ditur zyrtarisht mbreti i Arabisë Saudite, Salman.