11 futbollistët e Iranit nuk e kënduan himnin kombëtar para fillimit të ndeshjes së parë kundër Anglisë në kuadër të Botërorit, “Qatar 2022”. E gjithë kjo ka të bëjë me regjimin e shtetit iranian dhe protestat e fundit që ndodhën në këtë shtet, të cilat më vonë u shndërruan në një lëvizje kundër autoriteteve fetare të Iranit.
Sipas të dhënave të organizatave joqeveritare, në shtypjen e atyre protestave u vranë me qindra njerëz, u arrestuan rreth 15.000 persona, derisa disa nga të arrestuarit u dënuan me vdekje.
Kapiteni i kombëtares iraniane, Alireza Jahanbakhsh, tha së fundmi se lojtarët do të vendosin së bashku nëse do të këndojnë ose jo himnin kombëtar në mbështetje të viktimave të lëvizjes protestuese në Iran.
Gjatë fundjavës, disa futbollistë iranianë shprehën ngushëllimet e tyre për familjet e të vrarëve gjatë protestave dhe solidaritetin e tyre me lëvizjen protestuese, e cila është në shënjestër nga autoritetet iraniane për shtypje.
Protestat në Iran nisën më 16 shtator, ditën kur Mahsa Amini (22) vdiq në spital, ku u vendos në gjendje të rëndë pasi u arrestua më 13 shtator në Teheran për “veshje të papërshtatshme” dhe mosndjekje të kodit të rreptë të veshjes së Iranit për gratë.