Përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll vitin 2022 e ka mbyllur me barazim, teksa në ndeshjen e fundit të këtij viti që po lëmë pas, u mund nga Azerbejxhani me shifrat 3:1, njofton “infOSport.mk”.
Fillimi i ndeshjes nuk paralajmëroi një fund të tillë, pas të përzgjedhurit e Bllagoja Milevskit avansuan me golin e Enis Bardhit vetëm pas 25 minutave lojë.
Bardhi ishte i saktë nga penaltia, duke realizuar golin e tij të 12-të në ndeshjen e tij të 50-të jubilare me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë, që kapituloi në anën tjetër në minutën e 37-ë, kur Elvin Jafarguliev barazoi rezultatin në 1:1.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë e këtij takimi, ndërsa pjesa e dytë e shoqëruar sërish me shi, foli në të mirë të Azerbejxhanit, kombëtare kjo që udhëhiqet nga ish seleksionuesi i kombëtares shqiptare, Xhiani De Biasi.
Një gjë të tillë kombëtares azere ia mundësoi edhe kartoni i dytë i verdhë, automatikisht i kuq i Boban Nikollov në minutën e 52-të, duke lënë përfaqësuesen tonë me 10 futbollistë në fushë.
Milevski tentoi të ndryshojë diçka në lojë me inkuadrimin e Jani Atanasov dhe Valon Etemit, të cilët zëvendësuan dyshen Babunski-Nestorovski, mirëpo edhe dy futbollistët e rinj nuk arritën të bëjnë diç më tepër para golit të mysafirëve.
Në minutën e 65-të azerët ekzekutuan një rivënie nga këndi, ndërsa para portës së Shishkovskit më së miri u gjind Kurbanli, i cili me kokë shënoi për rezultat 1:2.
Pas këtij goli të epërsisë së mysafirëve, Atanasov pati mundësinë i pari për të barazuar, mirëpo goditja e tij nga një distancë prej 20 metrash përfundoi vetëm në shtyllë. Fati i kishte kthyer shpinën edhe Enis Bardhit, i cili në minutën e 88-të pas një solo-aksioni goditi vetëm shtyllën.
Dhe kur nuk shënon, atëherë vjen ndëshkimi, ndërsa kjo u ndodhi edhe futbollistëve të Milevskit, të cilët në aksionin e rradhës pas disa pasimeve të sakta në mesfushë arritën deri tek goli i Shishkovskit, të cilin e mposhtën edhe për herë të tretë në këtë takim, këtë rradhë me anë të Ramil Shejdaev.
Për Maqedoninë ndeshja e sotme kundër Azerbejxhanit ishte e fundit për këtë vit kalendarik, ndërsa ndeshjet e para në vitin 2023 përfaqësuesja futbollistike e vendit do ti zhvillojë në muajin mars në kuadër të eliminatoreve për Europianin e vitit 2024. Ndeshjen e parë “verdhekuqtë” do ta zhvillojnë me 23 mars kundër Maltës në Shkup. (infOSport.mk)
FOTO: Gol.mk