Shqipëria e mbyll me fitore vitin 2022 (VIDEO)

Shqipëria e ka mbyllur me fitore vitin 2022, duke mundur Armeninë në “Air Albania” me shifrat 2:0, njofton “infOSport.mk”.

Pas disfatës 1:3 të para disa ditëve ndaj gjigandëve të Italisë, të përzedhgurit e trajnerit Edi Reja, sonte zhvilluan një super ndeshje, duke mos i lënë fare hapësira kundërshtarit për të ardhur në shprehje.

Ndryshe nga se që jemi mësuar, sonte Reja e nisi ndeshjen me një formacion krejt ndryshe, duke ju dhënë rastin shumë futbollistëve të rinj, përfshirë këtu edhe sulmuesin e Partizanit, Xhuliano Skuka, i cili ndaj Italisë si rezervistë paralajmëroi golin, të cilin e gjeti sonte, vetëm në paraqitjen e tij të dytë me fanellën “kuqezi”.

Skuka realizoi në minutën e 28-të, kur mjaft mirë pranoi një top nga Çokaj brenda zonës kundërshtare dhe me një goditje të saktë për tokazi shënoi për 1:0.


GOLI I PARË I SHËNUAR NGA XHULIANO SKUKA


Skuka doli sërish në skenë, këtë herë në minutën e 53-të, kur falë një presingu shtyu futbollistin kundërshtarë Sergey Mkrtchyan që të gabojë, mirëpo edhe pse doli i vetëm përballë portierit kundërshtar, sulmuesi i Partizanit nuk arriti që të gjejë kuadrantin.

Megjithatë, atë që nuk e bëri Skuka në minutën e 53-të, e bëri Kristijan Asllani në minutën e 63-të, kur me shumë qetësi shënoi nga pika e bardhë, e përfituar nga Tedi Cara.


GOLI I KRISTIJAN ASLLANIT I SHËNUAR NGA PENALTIA 


Për mesfushorin e Interit, ishte ky goli i parë me fanellën “kuqezi”, ndërsa paraqitja e tij e sotme, ku bienin në sy ato diagonale të gjata dhe të sakta si dhe pasime të shumta, na bëjnë të besojmë se Shqipëria ka gjetur djaloshin e duhur për një periudhë më të gjatë në mesfushën e saj, duke pasur parasysh se Asllani është vetëm 20-vjeç.

Me Edi Rejën si kryetrajner, Asllani nuk e pati fatin të luaj edhe aq shumë me kombëtaren shqiptare, megjithatë duke pasur parasysh se kjo ndoshta ishte ndeshja e fundit e strategut italian nën drejtimin e Shqipërisë, atëherë mund të shpresojmë se me një trajner të ri do të ketë më shumë minuta për këtë super yll, njëjtë sikurse edhe për Armando Brojën, që në vazhdimësi ka qenë nën hije. (infOSport.mk)

Leave a Reply