Futbollisti me origjinë nga fshati Brezë, tregon arsyet pse zgjodhi Shqipërinë para Maqedonisë

Futbollisti me origjinë nga fshati Brezë, rrethinë e Shkupit, Arda Kurtulan, është futbollisti më i ri i ekipit kombëtar shqiptarë U21. Ai në një intervistë më të zgjeruar për mediat shqiptare tregon edhe arsyet e këtij vendimi, edhe pse së fundmi ishte pjesë e përfaqësueseve U19 dhe U21 të Maqedonisë, vendit ku kishte lindur edhe babëgjyshi i tij.

Si njeriun kyç që e ka bindur të pranojë të luaj me Kombëtaren shqiptare, futbollisti aktual i Adana DemirSpor, e etiketon seleksionuesin e U21 të Shqipërisë, Alban Bushin.

“Trajneri im Alban Bushi ka patur gjithmonë lidhje me familjen tonë pasi ka luajtur me babain tim futboll. Ai na propozoi që të vija të luaja për Shqipërinë, ishte një kënaqësi shumë e madhe që na bëri ekipi i Shqipërisë.” – shprehet fillimisht Arda Kurtulan, i cili tregon edhe rrënjët e tij të vërteta.

Po çfarë lidhjeje ka familja juaj me Shqipërinë ?

“Gjyshi im është nga Maqedonia e Veriut nga Breza, ndërsa gjyshja ime ka lindur në Mitrovicë të Kosovës dhe unë prandaj jam shqiptar dhe vendosa të zgjedh që të luaj për Shqipërinë. Në familjen tonë flitej gjithmonë nga gjyshërit për Shqipërinë dhe për trojet tona që ndodhen në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Unë jam prekur shumë nga fjalët e gjyshit dhe kam vizituar edhe më parë Maqedoninë apo Kosovën. Tani jam shumë i lumtur që jam në Shqipëri.” – thotë tashmë futbollisti i Kombëtares shqiptare.

Arda Kurtulan është një lojtarë i ri me prespektivë i cili ka kaluar në ekipet e moshave kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe disa klube të njohura në Turqi.

“E kam filluar karrierën shumë i vogël si futbollist, deri në moshën 12-vjecare luaja për një ekip amator, më pas kalova tek ekipi i Fenerbahçes ku kam luajtur me moshat dhe isha kapiten i skuadrave të të rinjve. Pas Fenerbahçes tani luaj tek Adanaspor. Sa i përket ekipeve kombëtare kam luajtur me ekipet kombëtare të moshave U19 dhe U21 të Maqedonisë së Veriut. Kam patur më pas edhe oferta për të luajtur me kombëtaren e Turqisë apo për të qëndruar tek Maqedonia, por zgjedhja më e drejtë dhe më e mirë për mua ishte Shqipëria.” – u shpreh Arda Kurtulan, i cili tha se ndihet shqiptarë dhe se mu për këtë shkak ka bërë këtë zgjidhje përfundimtare.

“E kam zgjedhur përfundimisht Shqipërinë sepse ne ndihemi shqiptarë dhe kombëtarja Shqiptare tashmë ka një emër të rëndësishëm në futbollin europian.” – përfundon intervistën e tij, Arda Kurtulan.

Leave a Reply