Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka barazuar 2:2 ndaj Armenisë në miqësoren e parë të muajit nëntor. “Dardanët” e Zhires, që u paraqiten me lojtarë të rinj në këtë sfidë, u gjendën në disavantazh pas 24 minutave lojë kur Shaghoyan kaloi armenët në epërsi në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Armenia vazhdoi me dominim edhe në minutat në vazhdim gjatë pjesës së parë, por duke mos arritur të finalizojnë disa nga rastet e krijuara para portës së Visar Bekajt.
Të përzgjedhurit e Alen Zhires barazuan shifrat në minutën e 67-të me anë të Lirim Kastratit, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhë e penaltisë.
Tetë minuta pa përfunduar koha e rregullt e takimit, Hovhannisyan pas një lëvizje të mirë në zonën e “dardanëve”, arriti të ndëshkonte sërish Kosovën, duke rikthyer epërsinë e Armenisë.
Megjithatë përfaqësuesja e Kosovës shmangu humbjen në minutën e tretë shtesë, kur Rudhani pas një devijimi “tundi” rrjetën e Armenisë për rezultatin final, Kosova 2, Armenia 2.
Tre ditë më vonë, Kosova po në stadiumin “Fadil Vokrri” do të mirëpret ekipin kombëtarë të Ishujve Faroe. (infOSport.mk)