Vardari ndalet nga Bellasica, Pelisteri i shënon 11 gola Teteksit!

Vardari ka barazuar 1:1në ndeshjen e javës së 15-të kundër Bellasicës, duke humbur mundësinë që të rikthehet sërish në pozitën e parë në Ligën e Dytë, aty ku për momentin ndodhet Gostivari, shkruan “infOSport.mk”.

Vardari avansoi me golin e shënuar nga Kire Markoski në minutën e 72-të, ndërsa golin e barazimit për Bellasicën e realizoi, Petar Gugljanov në minutën e 82-të. Për Vardarin ishte ky barazimi i dytë gjatë këtij edicioni, në të cilin ka pësuar vetëm një disfatë, edhe atë nga Gostivari, skuadër kjo që kryeson renditjen me 30 pikë, një më shumë se Vardari, derisa Voska Sport mban pozitën e tretë me 27 pikë.

Këta të fundit dje me rezultatin 2:1 mundën KF Arsimin në transfertë, ndërkohë sot Pelisteri regjistroi një ndër fitoret më të thella në histori, duke mundur Teteksin me rezultatin 11:0.

Borçe Manevski me 3 golat e realizuar rezultoi të jetë njeriu i ndeshjes, ndërkohë në mesin e golashënuesve te skuadra nga Manastiri, u regjistrua edhe shkupjani, Lavdrim Fazliu.

Besa e Dobërdollit po kalon një periudhë shumë të keqe, teksa sot regjistroi edhe disfatën e tretë të njëpasnjëshme, duke u mundur në transfertën në Radovish nga Detonit Plaçkovica me rezultatin 3:0.

Me po të njëjtin rezultat, Sasa mundi Borecin në Veles, Kozhuvi falë golave të shënuar nga Angel Koçev (8’) dhe Andrej Kudijan (72’) mundi Slloga Vinicën me shifrat 2:0, ndërkohë Karaormani dhe Lokomotiva e Shkupit barazuan 1:1 në qyetin e bukur të Strugës. (infOSport.mk)

LDFMV – Java XII

Vardari 1:1 Bellasica
Pelisteri 11:0 Teteksi
Detonit Plaçk. 3:0 Besa Dob.
Boreci 0:3 Sasa
Karaormani 1:1 Lokomotiva
Kozhuvi 2:0 Slloga V.
KF Arsimi 1:2 Voska Sport
Ohrid Lihnidos 1:2 Gostivari

Leave a Reply