Ish futbollisti i FC Shkupit, KF Shkëndija dhe shumë klubeve tjera, Sedat Berisha ka filluar karrierën e tij si trajner në klubin e tij të zemrës FC Shkupi.
Berisha do ta menaxhojë gjeneratën 2009-të në klubin çairas. Sot në ndeshjen e parë të tij djelmoshat ia dolën që ta mposhtin KF Shkëndijën me rezultat 3:1.
Ai para fillimit të takimit grumbulli fëmijët e dy skuadrave dhe mbajti një fjalim të shkurtër në kontekst të marrëdhënieve të tifozerive të dy ekipeve.
“Dëgjoni mirë çka ju them! Unë jam nga Shkupi, kam luajtur edhe kur garonim si Slloga edhe si Shkupi. Por ka luajtur 5 vite për Shkëndijën, jam shpallur kampion dhe kam shumë miq në Tetovë dhe disa edhe si familje. Kam bërë karrierë shumë të mirë në këto dy klube dhe me shumë lojtarë kam luajtur bashkë e si rival. Edhe juve do ju vijë momenti do të luani bashkë me njëri tjetrin në Shkëndijë, Shkup, apo ndonjë ekip tjetër. Mos shikoni çka thuhet e çka bëhet. Janë probleme të momentit dhe shpejt do tejkalohen. Ju shikoni të punoni sa më shumë dhe të arrini suksese sa më të mëdha”, tha mes tjerash Sedat Berisha.
Berisha ka dëshmuar me vite se është një lojtar i klasit të lartë dhe tani shpresojmë ta shohim poashtu edhe në rolin e trajnerit.