KF Gostivari, skuadër kjo e vetme pa asnjë humbje në Ligën e Dytë, falë fitores së fundit ndaj Ohrid Lihnidos, ka marrë kryesimin, duke lënë pas vetes Vardarin dhe Voska Sport, njofton “infOSport.mk”.
Gostivari në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në Ohër shënoi fitore 2:1 ndaj Ohrid Lihnidos, duke regjistruar kështu fitoren e 9-të këtë edicion, në të cilin pretendon që të siguroj dy vendet e para dhe edicionin e ardhshëm të luaj në mesin e më të mirëve.
Njëherit ky edhe është synimi kryesor i drejtuesve të rinj të KF Gostivarit, që në këto 12 xhiro ka regjistruar edhe 3 barazime.
Futbollisti i tyre më në formë, Antonio Kalanoski shënoi golin e parë në transfertën në Ohër, kur me kokë shënoi nga afërsia në minutën e 26-të.
Ishte ky goli i vetëm i shënuar gjatë 45 minutave të para në këtë përballje, derisa pjesa e dytë doli të jetë më ineresante me dy gola të tjerë të shënuar, nga një në secilën anë.
Stojançe Velinov në minutën e 79-të u tregua shumë i shkathët para portës së vendasve, duke shënuar një gol mjaft të bukur falë lëvizjeve të tij të shpejta, edhe pse paraprakisht portieri i Ohrid Lihnidos, Damjan Serafimov me një intervenim bravuroz kishte ndalur me mjaft sukses tentativën e tij të parë, kur kishte goditur nga vija e 16-të metërshit.
Golin e vetëm dhe të nderit, Ohrid Lihnidos e realizoi në minutën e 85-të me anë të kapitenit, Arben Tafe, i cili u gjind më së miri në zonën kundërshtare pas rivënies nga këndi të ekzekutuar nga Robert Mitev.
Gostivari me këtë fitore i dha fund serisë prej 6 fitoreve të njëpasnjëshme të Ohrid Lihnidos, skuadër kjo që renditet në pozitën e katërt me 22 pikë, 5 më pak se rivali lokal Voska Sport që me 27 pikë mban pozitën e tretë.
Gostivari me 30 pikë renditet i pari, duke lënë pas vetes Vardarin, që ndeshjen e xhiros së 12-të do ta zhvillojë sot kundër Bellasicës në stadiumin e Hekuranës në Shkup. (infOSport.mk)