Voska Sport të shtunën në Ohër luajti baraz 2:2 kundër Kozhuvit. Megjithatë sipas drejtuesve të skuadrës shqiptare nga Ohri, kjo ndeshje mund të kishte një epilog tjetër, në rast se arbitri kryesor bashkë me ndihmësit e tij do të ishin më vigjilent dhe do të referonin drejtë sipas standardeve që kërkohen, raporton “infOSport.mk”.
Nga Voska Sport akuzojnë arbitrin kryesor Dejan Mlladenovskin për një penalti të mos akorduar në minutën e 75-të, për të cilën ka shkruar edhe vetë Komisioni i arbitrëve duke pranuar gabimin e arbitrit shkupjan.
Megjithatë kjo nuk është e tëra, pasi në ndeshjen e javës së 6-të vëllai i Dejan Mlladenovskit, Marjani, kishte dëmtuar edhe më rëndë skuadrën e Voska Sport, duke i anuluar 3 gola, dy prej të cilëve nga aksione të pastërta. Një gjë të tillë më pas e kishte konfirmuar edhe Komisioni i Arbitrëve, megjithatë asnjë dënim për vëllezërit Mlladenovski, të cilët skuadrën nga Ohri e kishin dëmtuar edhe edicionin e kalular, kur Marjan Mlladenovski kishte anuluar një gol të pastërt në përballjen ndaj Teteksit.
Gjitha këto vendime kanë ndikuar edhe në ecurinë e Voska Sport, që me 4 pikët e humbura nga dy ndeshjet e këtij edicioni kundër Pelisterit dhe Kozhuvit, tani do ishte në pozitën e parë, që njëherit është edhe synimi kryesor i kësaj skuadre.
Më poshtë mund të lexoni në tërësi reagimin e FC Voska Sport.
Komunikatë për media
Reagim ndaj arbitrimit skandaloz
Klubi i Voska Sport gjithnjë është munduar të ju përmbahet reagimeve ndaj arbitrimeve, por rasti i fundit në ndeshjen kundër Kozhuvit, e ku ekipi ynë u dëmtua drejtëpërdrejtë nga ana e arbitrit kryesor, Dejan Mlladenovski, na detyroi të kërkojmë llogari edhe nga ana e Komisionit të Arbitrëve, por edhe drejtëpërdrejtë nga ana e vetë arbitrit në fjalë.
Ky i fundit edhe pse në minutën e 75-të të duelit kundër Kozhuvit ishte shumë pranë rastit, nuk e pa të arsyeshme të tregoi në pikën e bardhë. (një gjë të tillë konfirmojnë edhe vetë analizat e bëra nga ana e juaj – FOTO 1):
Izair Emini tentoi për të bashkëpunuar me ndonjërin prej bashkëlojtarëve të tij të sulmit, mirëpo njëri nga futbollistët mysafir luajti me dorën e tij në pozicion jo të natyrshëm, duke shkaktuar penalti të pastërt, por që nuk u akordua.
Me këtë rast pyesim publikisht arbitrin Dejan Mlladenovski, vallë i njëjti çfarë ka kundër ekipit të Voska Sport, apo më mirë thënë familja Mlladenovski çfarë kanë kundër ekipit shqiptarë nga Ohri.
KUJTOJMË – Ndeshja e javës së 11-të kundër Kozhuvit u mbyll me shifrat 2:2, duke na i mohuar ndoshta edhe dy pikët tjera që në fund mund të na kushtojnë në garën për dy vendet e para në renditje.
Pse familja Mlladenovski?
Një rikujtim – me datë 1 tetor në ndeshjen e javës së 6 kundër Pelisterit në Manastir, vëllai i Dejan Mlladenovskit, Marjani, hyri në historinë e futbollit vendor, por ndoshta edhe më gjërë, duke na anuluar 3 gola.
Nëse goli i parë i Behar Feta gjatë pjesës së parë ishte anuluar me të drejtë nga ana e Marjan Mlladenovskit bashkë me ndihmësit e tij, një gjë e tillë nuk mund të thuhet për golat e anuluar në pjesën e dytë të Vahit Muratit dhe Izair Eminit. (një gjë të tillë konfirmojnë edhe vetë analizat e bëra nga ana e juaj – FOTO 2):
KUJTOJMË – Ndeshja kundër Pelisterit në Manastir ishte mbyllur me barazim 1:1, duke na i mohuar ndoshta edhe dy pikët tjera që në fund mund të na kushtojnë në garën për dy vendet e para në renditje.
Janë këto dy rastet e këtij sezoni, mirëpo që pyetja jonë se çfarë vallë kanë familja Mlladenovski kundër ekipit të Voska Sport, fiton edhe më shumë në peshë, nëse i rikthehemi edhe edicionit të kaluar, kur Marjan Mlladenovski me datë 05.03.2022 në ndeshjen kundër Teteksit na anuloi një gol të pastërt të shënuar nga Altin Lloga në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin me barë sintetikë në Tetovë.
Edhe ajo ndeshje ishte mbyllur me barazim 1:1, duke na i shkëputur dy pikë dhe duke ndikuar drejtëpërdrejtë në renditjen përfundimtare të sezonit 2021/2022 në Ligën e Dytë.
Gabimet në arbitrim kanë ndodhur dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen dhe për këtë ne si klub jemi të vetëdijshëm dhe i pranojmë, por tre rastet e lartëpërmendura, e sidomos dy rastet e këtij edicioni, ndikojnë në ecurinë, objektivat dhe gjendjen e ekipit në vazhdimësi të kampionatit.
Ne si klub kërkojmë që të vendoset gishti në arbitra të caktuar dhe ata të dënohen nga ana e Komisionit të arbitrave pranë FFM-së, në të kundërtën nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë edhe ata mund të konsiderohen si bashkëpunëtorë të këtij krimi që po ndodh ndaj skuadrës së Voska Sport.
Këtë të fundit nuk duam ta besojmë, ndaj shpresojmë që ky reagim i yni por edhe i klubeve tjera shqiptare, Struga Trim Lum, Shkëndija, etj, të refelktojë te ky Komision dhe në të ardhmen të mos përsëriten gabime të këtilla me dashje, apo pa dashje.