Mesufshori tetovar Arbin Zejnullai ka marrë ftesë nga kombëtarja e Shqipërisë. Seleksionuesi Edi Reja ka publikuar listën e futbollistëve te të cilët do të llogarisë për miqësoren me Katarin dhe një prej katër debutuesve figuron edhe tetovari, Zejnullai. Mesfushori i Egnatias shkëlqen në superioren e Shqipërisë, javën e shkuar ishte spektakolar me dy gola në fitoren 3:0 ndaj Partizanit dhe shpërblimi për performansat impresive vjen nga stafi i ekipit kombëtar, që e grumbullon për herë të parë me Shqipërinë A, pasi më herët ka luajtur me shpresat U21.
I vetmi futbollist që luan jashtë Shqipërisë në këtë listë është Kristal Abazaj, i cili aktivizohet në kampionatin turk me klubin e Istanbulspor. Të gjithë futbollistët e tjerë aktivizohen në kampionatin shqiptar teksa për herë të parë janë ftuar lojtarë si Herald Marku, Serxho Ujka, Mario Dajsinani apo Arbin Zejnullai. Shqipëria do të shfrytëzojë shtyrjen e javës së 12-të të “Abissnet Superiore” për të nisur grumbullimin që ditën e shtunë me ekipin që do të përgatitet në kompleksin Tropikal në Durrës deri të martën, kur do të niset për në Marbella të Spanjës. Ndeshja miqësore Shqipëri-Katar do të luhet pikërisht në stadiumin e Marbellas dhe do të nisë në ora 18:30. Kjo do të jetë përballja e tretë në histori mes Shqipërisë dhe Katarit, që të gjitha në ndeshje miqësore.