Kanë përfunduar 8 përballjet e para të mbrëmjes në Liga Europa, e ku pa dyshim se senzacion është eliminimi i skuadrës së Lacios. Skuadra e njohur italiane në ndeshjen e fundit të grupit “F” u mund nga Fejenordi me rezultatin minimal 1:0.
Kjo fitore skuadrës holandeze i siguroi pozitën e parë në grup me 8 pikë, po aq sa kanë edhe 3 skuadrat tjera të këtij grupi, Midtjylland, Lacio dhe Shturm Grac.
Mirëpo pavarësisht pikëve të njëjta, bashkë me Fejenordin tutje ecën edhe skuadra daneze e Midtjylland, që në ndeshjen tjetër të mbrëmjes mundi ekipin austriak të Shturm Grac me shifrat 2:0.
Mançester Junajtedi pavarësisht fitores 1:0 ndaj Real Sociedadit në Spanjë, në fund duheshe të pajtohet vetëm me pozitën e dytë në kuadër të grupit “E”, kjo për shkak gol-averazhit më të mirë të skuadrës baske, e cila gjithashtu në ndeshjen e parë në “Olld Traford” kishte shënuar fitore minimale 1:0 ndaj “Djajve të Kuq”.
Kështu të dyja skuadrat e njohura e mbyllën grupin me nga 15 pikë, duke lënë pas vetes ekipin e Sherif Tiraspol, që aventurën europiane do ta vazhdojë në Ligën e Konferencës, njëjtë sikuse edhe Lacio.
Ndryshe një vend për në fazën e 1/8 së finales së Liga Europa siguruan edhe Frajburgu gjerman, skuadrat franceze të Nant dhe Monakos, si dhe Ferencvaroshi hungarez. Ndërkohë dy skuadrat e grupeve G dhe H që do të luajnë në Ligën e Konferencës, janë Karabagu dhe Trabzonspori.
Skuadrës turke, pjesë e së cilës është edhe shkupjani, Enis Bardhi, nuk i mjaftoi fitorja 1:0 ndaj Ferencvaroshit në grupin “H”, pasi pavarësisht fitores, Trabzonspori u rendit në pozitën e tretë me 9 pikë, derisa Ferencvaroshi dhe Monako me nga 10 pikë, vazhduan tutje. (infOSport.mk)