Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës kanë mbajtur një mbledhje gjatë ditës së sotme, në të cilën është marrë vendimi që përfaqësuesja boshnjake të mos luajë një ndeshje miqësore kundër Rusisë.
Kjo ndeshje mes këtyre dy kombëtareve ishte paraparë të zhvillohet në Shën Petersburg me datë më 19 nëntor.
“Në seancën e sotme të Bordit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës, ndeshja e planifikuar për 19 nëntor u shty. Presidenti i FS të BeH-së, Vico Zeljkoviq deklaroi se zhvillimi i kësaj ndeshje do të shtyhet për një datë të ardhshme”, thuhet në njoftim.
Lajmi se Bosnje e Hercegovina dhe Rusia do të luajnë një ndeshje miqësore tërhoqi shumë vëmendje, por edhe shumë dënime. Kjo për shkak se Kombëtarja dhe ekipet ruse janë përjashtuar nga UEFA dhe FIFA, kjo pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt të këtij viti.