Të shtunën Voska Sport pësuoi disfatën e parë të sezonit 2022/2023 në Ligën e Dytë unike. Skuadra shqiptare nga qyteti i bukur i Ohrit, i udhëhequr nga strategu tetovar, Berat Imeri, u mund në transfertën në Shkup ndaj Vardarit me shifrat 2:1.
Kjo disfatë, siç thotë Drejtori Sportiv i Voska Sport, Artan Borova, do motivojë lojtarët edhe më shumë, e në veçanti klubin, për të mos tu ndalur për të arritur qëllimin e tyre.
“Disfatat asnjëherë nuk janë të mira dhe të pranueshme, megjithatë në futboll jo çdoherë mund të fitosh. E tillë doli të jetë edhe ndeshja e së shtunës ndaj rivalit kryesor për titull, Vardarit, të cilës skuadër i urojmë fitoren në betejën e parë, megjithatë neve jemi Voska Sport dhe nuk dorëzohemi lehtë, pasi kampionati është i gjatë dhe kemi edhe ndeshjen kthyese, por edhe 19-të ndeshje të tjera. Kjo na bënë që të besojmë fuqishëm në arritjen e objektivave të skuadrës, që mund të them se si asnjëherë më parë, funksionon si një familje dhe se pikërisht këtu shoh forcën e Voska Sport, por edhe e këtyre djemve të rinj që kemi në skuadër, që rriten thuajse çdo ditë, duke marrë atë përvojën që ju mungon. Unë si Drejtor Sportiv, them se kam besim të plotë te ekipi, te këta djelmosha me zemër të madhe dhe se së bashku në fund do gëzohemi. Jo më kot thotë kush qesh i fundit, qesh së mbari, ashtu që besojmë se në fund të kampionatit neve do jemi ato që do festojmë” – u shpreh Artan Borova, i cili shton dhe njëherit mbyll deklaratën e tij për faqen e klubit me këtë fjali: “Ndonjëherë nuk mundesh të mësosh nga 7 fitore aq shumë, sa që mundesh të mësosh nga një disfatë, e cila besoj fuqishëm se do jetë shumë, shumë motivuese për ne si skuadër”.
Voska Sport pas 10 xhirove të para në Ligën e Dytë, mban pozitën e tretë në renditje me 23 pikë, dy më pak se lideri aktual Vardari, ndërkohë Gostivari me 24 pikë renditet në pozitën e dytë.
Ndeshjen e javës së 11-të, Voska Sport do ta zhvillojë në terren vendas kundër skuadrës së Kozhuvit nga Gjevgjelia me datë 5 nëntor. (infOSport.mk)