Skuadra e Gjilanit nga elita e futbollit kosovar, aktualisht është pa trajner për shkak të gjendjes shëndetësore të strategut shkupjan, Zekirija Ramadanit.
Ramadani mungoi në seancën e fundit stërvitore të Gjilanit në prag të ndeshjes së fundjavës ndaj Trepçës ’89 në “Riza Lushta”, ndeshje kjo që në fund ishte mbyllur me shifrat e barabarta, 1:1.
Zyrtari i Gjilanit, Drilon Sylejmani ka zbuluar për “FrontOnline” arsyen e mungesës së Ramadanit, për të cilin thotë se është helmuar dhe se ndodhet në një nga spitalet e Shkupit në gjendje stabile.
“Trajneri Zekirija Ramadani ka munguar në seancën e fundit stërvitore para ndeshjes dhe në ditën e lojës me Trepçën ‘89 për shkak të një helmimi”, tha Sylejmani, i cili shtoi: “Ka qëndruar dy ditë në Gjilan, ndërsa më pas hospitalizimin e ka vazhduar në Shkup”.
Tutje, ai tregon se për gjendjen e Ramadanit “nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”.
“Ndodhemi në kontakt të vazhdueshëm me trajnerin dhe gjendja e tij shëndetësore është e mirë tani dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar”, – deklaroi të martën për portalin “FrontOnline”, Drilon Sylejmani.
Ndryshe, pas 13 javësh në elitën e futbollit kosovar, Gjilani ndodhet në pozitën e katërt në tabelë me 19 pikë të tubuara.