Treshja Ibraimi, Shabani, Merxhani, të cilët fundjavën që lamë pas luajtën me përfaqësuesen e Maqedonisë kontrolluesen ndaj Arabisë Saudite, tashmë ju rikthehen garave elitare me ekipin e Struga Trim Lum.
Qe të tre duke folur për emocionet dhe grumbullimin me ekipin përfaqësues të vendit, për faqen zyrtare të klubit folën për ndeshjen e rradhës në kampionat, atë kundër Pobedës, që nesër do e zhvillojmë në Prilep.
“Normalisht, ishte shumë pozitiv grumbullimi me përfaqësusen e Maqedonisë në miqësoren kundër Arabisë Saudite, njëkohësisht ishte edhe përvojë e mirë për të treguar kualitetin ndaj një kundërshtari që do luaj në Kampionatin Botëror të këtij viti në Katar. Atmosfera ishte shumë e mirë, edhe pse luanim vetëm ndeshjen e parë bashkë, nuk e kishim të vështirë të përshtatemi, pasi që me shumicën e futbollistëve njihemi edhe më herët. Rezultati nuk doli të jetë në favorin tonë, megjithatë besoj se kemi bërë mjaftueshëm në këtë ndeshje dhe se ndonjëri prej futbollistëve të grumbulluar në të ardhmen mund të marrë edhe ftesën e seleksionuesit Bllagoja Milevski” – u shpreh Bunjamin Shabani, i cili gjithashtu foli edhe për ndeshjen e nesërme kundër Pobedës, e vlefshme për javën e 12-të në Ligën e Parë.
“Si në çdo ndeshje, ashtu edhe ndaj Pobedës në Prilep do futemi me mjaft entuziazëm dhe me shumë dëshirë për të fituar. Do të jetë kjo hera e parë që ne si skuadër do luajmë në këtë qytet, megjithatë neve jemi profesionist dhe duhet të përqëndrohemi në fushën e blertë, aty ku besoj se jemi më të mirë dhe se në fund do i’a dalim të marrim një rezultat pozitiv që do na mbante ende në pozitën e parë” – u shpreh Shabani.
Besart Ibraimi ndaj Arabisë Saudite zhvilloi ndeshjen e tij të 17-të me fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë. Nga ajo që treguan në terrenin e gjelbër, Ibraimi thotë se edhe futbollistët nga kampionati vendor posedojnë cilësi dhe kualitet për tu përballur me kundërshtarë më të mëdhenj.
“Besoj se luajtëm një ndeshje të mirë ndaj Arabisë Saudite, duke dëshmuar se edhe futbollistët vendor kanë kualitet për tu përballur me një kundërshtarë që do të luaj në Botëror. Për fat të keq golin e morrëm në fund, ndërsa minutat e fundit mund të them se edhe referi na dëmtoi duke mos akorduar një penalti të qindtpërqindtë për ne” – deklaroi Ibraimi, i cili lidhur me takimin e nesërm kundër Pobedës u shpreh: “Ndeshje shumë e rëndësishme për ne. E dimë që stadiumi i Prilepit është një terren i vështirë për çdo skuadër, pasi ekipi vendas çdoherë ka përkrahjen tifozëve. Respekte për Pobedën, por neve do të mundohemi të jaim më të mirën edhe në këtë përballje dhe nga Prilepi të kthehemi me fitore”.
Ftesa nga seleksionuesi Bllagoja Milevski për Zija Merxhanin ka qenë e para, ndërsa kjo si duket ka gëzuar tej mase mbrojtësin e krahut të majtë të skuadrës strugane.
“Për mua ishte një eksperiencë e re në karrierën time të jem pjesë e më të mirëve dhe të përfaqësojë shtetin. Si ndeshje e parë jam shumë i kënaqur dhe shpresoj që me paraqitjet e mia të mira në ekipin e FC Struga Trim Lum të jem sërish pjesë e reprezentacionit. Do doja të falënderoja shumë edhe ekipin tim të FC Struga Trim Lum, drejtuesit dhe stafin teknik për mbështetjen e tyre, pasi pa mbështetjen e tyre nuk do isha në mesin e më të mirëve dhe shpresoj t’ua shpërblejë në mënyrën më të mirë me paraqitje dhe performanca të mira” – theksoi Merxhani, i cili foli gjithashtu edhe për ndeshjen e nesërme ndaj Pobedës.
“Ndeshje tipike kampionale, ku do të duhet të derdhim shumë djersë për të arritur objektivin tonë, e ai pa dyshim se është tre pikëshi. Fazën e parë të garave në Ligën e Parë e mbyllëm në pozitën e parë, aty ku besojmë të jemi edhe në fund të sezonit” – përfundoi Merxhani.
Treshja Ibraimi-Shabani-Merxhani njëherit janë edhe futbollistët më efikas te skuadra e Struga Trim Lum, duke realizuar 13 gola nga gjithsej 19 të skuadrës strugane, që me 25 pikë kryeson renditjen para Shkëndijës së Tetovës që ka 19 pikë. (infOSport.mk)