Përfaqësuesja U17 e Maqedonisë në periudhën prej 25 deri më 31 tetor, do të jetë nikoqire e turneut kualifikues (raundi i parë) për t’u kualifikuar në fazën e ardhshme elitare të kualifikimeve për Kampionatin Evropian që do të mbahet në Hungari në vitin 2023.
Ndeshjet kualifikuese do të luhen në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski” dhe në stadiumin “Makedonija GJ.P”, ndërkohë tashmë disa ditë seleksionuesi Vujadin Stanojkoviq ka zbuluar edhe listën e futbollistëve.
Aldin Aliu, talenti shkupjan i Vintertur që synon të bëhet si Xhaka e Shaqiri
Në mesin e të ftuarve bënë pjesë edhe talenti i Vintertur të Zvicrës, Aldin Aliu. Bëhet fjalë për një futbollistë vetëm 16-vjeçar, i cili cilësitë e tij që posedon pritet ti zbulojë edhe në ndeshjet që do ti zhvillojë me përfaqësuesen U17 të Maqedonisë, skuadër kjo që bënë pjesë në grupin 19, së bashku me përfaqësuesen e Francës, Islandës dhe Luksemburgut.
Pikërisht Islanda është kundërshtari i parë i Maqedonisë, ndeshje kjo që zhvillohet sot me fillim në ora 14:00 në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë FFM-së.
Aldin Aliu në një prononcim për “infOSport.mk” ka folur rreth këtij takimi, ku Maqedonia pritet të zbres në fushë për një rezultat pozitiv.
“Është ndeshja e parë dhe normal që duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Jam shumë i lumtur për këtë ftesë, ndaj premtoj se do të jap maksimumin për të dhënë më të mirën nga vetja, nëse trajneri vendos dhe do të ketë nevojë për mua si në ndeshjen e sotme kundër Islandës, por gjithashtu edhe në dy ndeshjet tjera ndaj Francës dhe Luksemburgut” – u shpreh Aldin Aliu.
Ndeshjen kundër Francës, Maqedonia do ta zhvillojë me 28 tetor po në fushën e stadiumit “Petar Milloshevski”, aty ku edhe do të zhvillojë ndeshjen e fundit kundër Luksemburgut me datë 31 tetor.
Ndryshe sa i përket talentit Aliu, i njëjti është me origjinë nga Haraçina e Shkupit, ashtu që këtë periudhë e ka shfrytëzuar për tu takuar edhe me disa nga familjarët e tij, por gjithsesi edhe me trajnerin Ferdi Ismaili, me të cilin punon tashmë disa vite gjatë periudhës kur i njëjti bënë pushimet pranë familjes këtu në Maqedoni. (infOSport.mk)
FOTO: Ilhan Osmani