Pas disfatës nga Drenica, trajneri Ramadani nuk kursen kritikat ndaj futbollistëve të tij!

Gjilani, skuadër kjo që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani, ka pësuar një tjetër humbje në Superligën e Kosovës në futboll. Ekipi nga Anamorava gjatë ditës së sotme në kuadër të xhiros së 12-të në shtëpi u mund me shifrat 2:0 nga Drenica.

Kjo disfatë kishte zhgënjyer tej mase strategun shkupjan të Gjilanit, i cili pas përfundimit të ndeshjes nuk kurseu kritikat për futbollistët e tij.

Në përgjithësi luajtëm mirë dhe krijuam disa raste shënimi. Ne nuk shënuam dhe pastaj kundërshtari na dënoi me tiparin e vet më të rrezikshëm që ka, kundërsulmin. Ne jemi bërë sikur një ekip 17-vjeçarësh. Sapo ta pësojmë një gol, fiket tërë ekipi. Humben shpresat. Ekipi është i shtrydhur. Jo me fajin e stafit teknik. Tjetër kund është faji. Në minutat e fundit nuk ngjanim në një skuadër”, – u shpreh Zekirja Ramadani në prononcimin e tij për “Art Sport”.

Për Gjilanin disfata e sotme ishte e katërta sezonale, me ç’rast kjo skuadër me 18 pikë renditet në pozitën e katërt, plotë 7 pikë larg Dritës së vendit të parë, që udhëhqiet nga strategu tjetër shkupjan, Ardian Nuhiu. (infOSport.mk)

Leave a Reply