Ballkani po i afrohet edhe më shumë Dritës, Gjilani i Ramadanit po zhytet në krizë

Elita e futbollit kosovar sot dhuroi dy përballje mjaft interesante. Ballkani i Ilir Dajës shumë shpejtë u rikthye te fitorja. Pas barazimit me Drenicën javën e fundit, djemtë e Ilir Dajës sot mundën ekipin e Trepça ’89 me shifrat 2:0, njofton “infOSport.mk”.

Që të dy golat erdhën në pjesën e dytë, me Ermal Krasniqin që shënoi në minutën e 48 dhe Alion Rrahmanin, i cili nga penaltia në minutën e 75-të vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Ballkani 2, Trepça ’89 0.

Me të njëjtat shifra u mbyll edhe takimi midis Gjilanit dhe Drenicës, mirëpo këtë herë me ekipin mysafir që iu gëzua triumfit.

Deri te fitorja skuadra drenicake erdhi vetëm në 10 minutëshin e fundit, kur fillimisht Osman Meziu në minutën e 81-të shënoi për 1:0, derisa 4 minuta para fundit të kohës së rregullt, Ermal Veliqi vendosi fatin e këtij takimi dhe të Gjilanit, skuadër kjo që me largimin e presidentit Florim Zuka nuk po gjen qetësinë e duhur.

Pas javës së 12-të, Drita e Ardian Nuhiuit kryeson renditjen me 27 pikë, dy pikë më shumë se Ballkani i vendit të dytë, me këta të fundit që kanë edhe dy ndeshje më pak.

Vendin e tretë me 18 pikë e mban Prishtina, ndërsa me pikë të njëjta, por me një gol-averazh më të dobët, Gjilani renditet në pozitën e katërt.

Dy pozitat e fundit në renditje janë të siguruara për Ferizajin dhe Dukagjinin, skuadra këto që kanë grumbulluar vetëm nga 8 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply