
Makedonija Gjorçe Petrovi ka siguruar një vend për në ndeshjet çerekfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut, pasi eliminoi Pobedën, duke e mundur me rezultatin 2:0. Çështjen e fituesit skuadra e Muharem Bajramit në stadiumin “Goce Dellçev” të Prilepit e zgjodhi që në pjesën e parë, kur edhe shënuan që të dy golat, raporton “infOSport.mk”.
Ish sulmuesi i Struga Trim Lum, Emir Skenderi realizoi golin e parë për skuadrën shkupjane, edhe atë vetëm pas 5 minutave lojë, ndërsa në minutën e 25-të, Ermedin Adem shënoi edhe golin e dytë, duke e bërë më të lehtë rrugën drejt kualifikimit të mëtejshëm.
Kjo ndeshje ishte e paraparë të zhvillohet në të njejtin termin me ndeshjet tjera të 1/8 së finales, që u zhvilluan të mërkurën e kaluar, mirëpo e njëjta u shtye për ditën e sotme pas kërkesës së skuadrës nga Prilepi.
Kësisoj, Makedonija Gjorçe Petrovi në çerekfinale të Kupës iu bashkohet edhe skuadrave, si FC Shkupi, Shkëndija, Struga Trim Lum, Akademia Pandev, Bregallnica, Vardar dhe Sileks.
Kujtojmë, Makedonija GJ.P është fituesi aktual i Kupës së Maqedonisë së Veriut, pasi edicionin e kaluar në finalen e madhe përmes penaltive mposhti Sileksin. (infOSport.mk)