Shkëndija skuadra e vetme pa disfatë në udhëtim!

Të dielën me ndeshjen derbi FC Shkupi – Struga Trim Lum u mbyll faza e parë në Ligën e Parë, aty ku skuadra strugane pavarësisht disfatës minimale 1:0 në Çair, e mbylli në pozitën e parë me 25 pikë, 6 më shumë se Shkëndija e vendit të dytë, raporton “infOSport.mk”.

Skuadra tetovare të shtunën në arenën “Todor Proeski” mundi Rabotniçkin me rezultatin 4:2, duke regjistruar në këtë mënyrë fitoren e 4-të nga po aq ndeshje të zhvilluara në transfertë.

Kështu skuadra “kuqezi” mbetet skuadra e vetme pa disfatë në udhëtim, duke marrë 12 pikët maksimale.

Pas tyre renditet Struga Trim Lum me 10 pikë, duke regjistruar 3 fitore, 1 barazim dhe 1 disfatë në 5 ndeshje, ndërsa pasojnë Sileksi me 8, gjegjësisht FC Shkupi me 7 pikë.

Skuadra e vetme që nuk ka marrë asnjë pikë në ndeshjet në transfertë, është Skopje, që në 6 ndeshje ka pësuar po aq disfata, duke pranuar 15 gola dhe duke shënuar vetëm 1, edhe atë kundër Sileksit në disfatën 3:1. (infOSport.mk)

Leave a Reply