Derbi i madh i xhiros së 11-të në elitën e futbollit vendor midis FC Shkupit dhe Struga Trim Lum kaloi nën hijen e arbitrit kryesor Aleksandar Stavrev, i cili vendosi të akordojë një penalti të dyshimtë në favor të skuadrës vendase, e që në fund vendosi edhe fatin e këtij takimi, shkruan “infOSport.mk”.
Ndeshja e zhvilluar në Çair doli të jetë një derbi tipik me shumë taktizime dhe pak raste për shënim nga ana e të dyja skuadrave. Goli i vetëm dhe disa nga rastet që vlejnë të veçohen ndodhen gjatë pjesës së dytë, kur në minutën e 57-të u akordua edhe penaltia në favorin e skuadrës vendase, të cilën më pas në gol e shndërroi kostarikani, Fredy Alvarez.
Nga video pamjet shihet qartë se portieri i Struga Trim Lum ishte i pari që largoi topin para Adetunxhit, mirëpo një gjë të tillë nuk kishte vërejtur edhe arbitri kryesor, Stavrev, i cili tregoi në pikën e bardhë. Mbi të gjitha nga ky dyluftim mes Qoshevskit dhe Adetunxhit, doli portieri strugan, që duheshe të lëshoj fushën. Struga Trim Lum tentoi të rikthehet në lojë, mirëpo ishin kryesisht disa goditje nga distanca të Hogan Ukpa, i cili disa minuta para fundit të takimit edhe pse u gjend në një pozitë shumë të volitshme për të goditur nga brendia e zonës, ai vendosi që të bëjë një hap më shumë, me ç’rast u ndëshkua me të verdhë pas simulimit, në tentativë për të përfituar një penalti.
Shkëndija të shtunën zhvilloi një super ndeshje në Shkup përballë Rabotniçkit, ku edhe përkundër dy futbollistëve më pak në fushë, në fund arriti fitore 4:2. Kjo fitore ngjiti këtë skuadër në pozitën e dytë, me 19 pikë, 6 më pak se lideri Struga Trim Lum, derisa FC Shkupi me fitoren e fundit u ngjit në kuotën e 18 pikëve, duke marrë pozitën e tretë në renditje.
18 pikë edhe për Sileksin në pozitën e katërt, skuadër kjo që mundi Bregallnicën në Shtip (2:3), ndërsa më së shumti nga kjo xhiro ka përfituar Makedonija Gj.P e Muharem Bajramit, që mundi Skopjen me shifrat 2:0.
Pobeda nuk shkoi më shumë se një barazim 1:1 ndaj Ak.Pandev, edhe atë falë mesfushorit shqiptarë Hamza Ramani, i cili shënoi një super gol nga një distancë prej 30 metrash.
Me ndeshjet e xhiros së 11-të u mbyll edhe faza e parë e garave në elitën e futbollit vendor, me Struga Trim Lum që do mbajë piedestalin, mirëpo që do të duhet të luftojë shumë deri në fund për të shkruar historinë dhe tu shpallur kampion. (infOSport.mk)