Shkëndija konfirmon fundin e bashkëpunimit me futbollistin, Jan Vondra. Mbrojtësi i majtë nga Republika Çeke nuk e gjeti veten mirë te Shkëndija dhe pasi stafi teknik i bëri me dije se hapsirat për lojë do të jenë minimale, u vendos që ndarja në këtë moment është në interes të dy palëve.
Jan Vondra të shtunën ishte në Shkup dhe ndoqi nga tribuna fitoren 4:2 ndaj Rabotniçkit, ndërsa pas ndeshjes në zhveshtore kërkoi të fliste para skuadrës.
“Djema, ju uroj fitoren e sotme dhe paraqitjen e shkëlqyeshme. Dua t’ju komunikoj se me kryesinë kemi vendosur të ndërpresim bashkëpunimin dhe unë të hënën kthehem në vendin tim. Ishte kënaqësi të jem pjesë e juaja, kisha nderin të vesh këtë fanellë. Secilin prej juve, bashkë me çdo të punësuar në klub ju falemenderoj për mënyrën si u sollët me mua. Jeni djemë të mrekullueshëm. Ju uroj gjitha të mirat në të ardhmen, të fitoni titullin në fund të sezonit dhe të keni shumë suksese në vazhdimësi”, tha Jan Vondra para se të përshëndetej një nga një me lojtarët e stafin.
Jan Vondra u bashkua me Shkëndijën në merkaton e verës dhe kryesisht ishtë në bankinë, duke luajtur vetëm në barazimin 2:2 me Araratin në Armeni në Kupat e Evropës. Në kampionat luajti në tre takime dhe dy herë u paraqit në Kupë.