Shkëndija i tregoi fuqinë Rabotniçkit, Makedonija GJ.P e Bajramit rikthehet te fitorja

Shkëndija e Tetovës i tregoi fuqinë e vërtetë Rabotniçkit sot në Shkup, takim ky i vlefshëm për javën e 11-të në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Edhe pse “kuqezinjtë” e mbyllën ndeshjen me dy lojtarë më pak, edhe atë pa kapitenin Hasani dhe mbrojtësin e krahut të djathtë, Murati, në fund drejt Tetovës u nisën me 3 pikë të plota, pasi mposhtën “romantikët” me rezultatin 4:2. Adenis Shala ishte motori te Shkëndija në këtë përballje, duke regjistruar 1 gol dhe duke asituar në 3 golat tjerë, të realizuar nga Bashkim Velija dhe Vlatko Stojanovski (2 gola), për të cilin ishin këto golat e parë në kampionat me fanellën “kuqezi”.

Në anën tjetër për Rabotniçkin, që avansoi me golin e Maksimov, në pjesën e dytë realizoi edhe Janakievski.

Makedonija Gj.P është rikthyer tek fitorja, duke mundur Skopjen me shifrat 2:0. Futbollisti nga Bregu i Fildishtë, Adama Samake me një super gol nga distanca kaloi në avantazh “verdhekuqtë” që në minutën e 19-të, ndërsa fitoren e Makedonija Gj.P e konfirmoi rezervisti Vanja Vuçiçeviç, me golin e realizuar në minutën e 75-të.

Pobeda falë eurogolit të mesfushorit shqiptarë, Hamza Ramani barazoi 1:1 përballë Akademia Pandevit në Prilep, derisa në një ndeshje tjetër mjaft interesante me shumë kthesa në rezultat, Sileksi me rezultatin 3:2 në Shtip mundi Bregallnicën.

Java e 11-të, me të cilën mbyllet edhe raundi i parë i garave në Ligën e Parë, mbyllet nesër me super derbin FC Shkupi-Struga Trim Lum. Ndeshja midis kampionit në fuqi dhe liderit aktual, do të zhvillohet në stadiumin e Çairit me fillim në ora 14:00. (infOSport.mk)

LPFMV – Java 11

Rabotniçki 2:4 Shkëndija
Bregallnica 2:3 Sileksi
Makedonija Gj.P 2:0 Skopje
Pobeda 1:1 Ak.Pandev
FC Shkupi 16.10 (14:00h) Struga Trim Lum
Tikveshi i lirë

Leave a Reply