Triumfi me shifra të larta 4:2 ndaj Rabotniçkit nuk ishte aspak i lehtë, posaçërisht pasi vendasit barazuan dhe më pas Shkëndija do të mbetej pa Hasanin dhe Muratin, të dy të përjashtuar me të kuq.
Por Shkëndija demonstroi karakter kur fillimisht me 10-të lojtarë avansoi me shifrat 3:2, që më pas edhe me dy lojtarë më pak të shënojë golin e e katërt.
“Jam i kënaqur me lojën që treguam, veçanërisht kur kishim më pak një lojtar, më vonë edhe dy lojtarë më pak. Prandaj uroj futbollistë për performansën, i përgëzoj për angazhimin dhe mençurinë e treguar. Por këto janë vetëm tre pikë, duhet të vazhdojmë më tej dhe mendoj se jemi në rrugë të drejtë për të arritur qëllimet tona” – u shpreh Qatip Osmani pas përfundimit të ndeshjes në Shkup.
Shala, dy herë Stojanovski dhe Velija ishin autor të golave për kuqezinjtë në këtë triumf të “çmendur”, pas të cilit Shkëndija renditet në pozitën e dytë me 6 pikë më pak se liderët e Struga Trim Lum, që ndeshjen e javës së 11-të do ta zhvillojnë nesër në Çair kundër kampionëve në fuqi të FC Shkupit.