Lum golash sonte në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, e ku e gjithë vëmendja ishte përqëndruar në “Kamp Nou”, aty ku Barcelona dhe Interi shënuan 6 gola në barazimin 3:3, njofton “infOSport.mk”.
Ndryshe në 8 ndeshje u realizuan plotë 36 gola, apo nga 4.5 gola për ndeshje.
Ndeshja më efikase ishte ajo në Skoci, ku Liverpulli i Jurgen Klop mundi 7:1 Gllazgou Renxhersin, derisa 3 ndeshje të tjera, përfshirë këtu edhe super duelin në “Kamp Nou” u mbyllën me nga 6 gola.
Barcelona dhe Interi në një ndeshje të çmendur barazuan me shifrat 3:3, derisa Bajerni i Munihut dhe Napoli shënuan fitore 4:2, duke mundur Viktoria Plzen, gjegjësisht Ajaksin, me çka këto dy skuadra që tani kanë siguruar një vend për në ndeshjet e raundit të dytë, ato të eliminimit.
Fitore me aromë kualifikimi regjistroi edhe Porto në transfertën në Gjermani ndaj Bajer Leverkusen, si dhe Olimpiku i Marsejës që ngadhnjeu ndaj skuadrës tjetër portugeze të Sportingut.
Falë kësaj fitore francezët barazohen me Sportingun e Lisbonës në grupin “D”, të dyja skuadrat kanë nga 6 pikë, derisa renditjen me 7 pikë kryeson Totenhami, që në Londër mundi Ajntrahtin e Frankfurtit me rezultatin 3:2.
Atletiko Madridi në ndeshjen e zhvilluar më herët barazoi pa gola ndaj Bryzh, skuadër kjo që për çudi kryeson renditjen në grupin “B”, derisa deri në fund do të luftojnë Porto i vendit të dytë (6 pikë), Atletiko Madridi (4) dhe Bajer Leverkuseni (3).